Vettingu në polici, 528 mln lekë – Xhafaj: Institucione të forta dhe të besueshme në fushën e sigurisë

Procesi për vlerësimin kalimtar të punonjësve të policisë së Shtetit , gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, pritet të zgjasë deri në 24 muaj nga miratimi i projektligjit. Fatura financiare e vetting-ut kap vlerën prej 528 milion lekë në total, ku 58 milion është parashikuar për procesin për 2018-ën dhe 470 milionë për vitin 2019.
Gjatë prezantimit të projektligjit në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, deklaroi se qëllimi i këtij procesi është krijimi i institucioneve të forta dhe të besueshme në fushën e sigurisë.
“Projektligji synon gjithashtu që në përfundim të këtij procesi, nga njëra anë të rritet dhe forcohet besueshmëria brenda radhëve dhe strukturave të këtyre institucioneve që kanë si parakusht punën dhe veprimin si skuadër dhe mbrojtjen e njëri-tjetrit përballë fenomeneve të krimit dhe terrorizmit. Dhe nga ana tjetër të rrisë besueshmërinë e qytetarëve tek institucionet tona të sigurisë, te njerëzit që shërbejnë në to, si një element shumë i rëndësishëm i besueshmërisë së tyre te vetë shteti”, tha Xhafaj.
I pyetur nga deputetet e opozitës nëse do të ishte dakord që procesi i vetting-ut të niste nga ministri i Brendshëm, Xhafaj u përgjigj:
“Nëse bëhet fjalë që të hetohem unë si politikan, unë hetohem sot si gjithë politikanë e tjerë, përfshirë dhe ju që jeni në këtë tavolinë. Nëse duhet një ligj i vetting-ut për politikanët, unë jam i pari që do ta votoja me të dy duart dhe mund t’ju jap një draft që ta keni në konsideratë, nëse do ta ndërmerrni një iniciativë të tillë”, shtoi Xhafaj.
Procesit të vetting-ut pritet t’i nënshtrohen 13 mijë punonjës. Ky proces ka në themel kontrollin e figurës, pasurive dhe profesionalizmin e punonjësve. Ndërkohë që një rol të rëndësishëm vlerësues dhe monitorues do të kenë edhe partnerët ndërkombëtarë PAMECA dhe ICITAP.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.