Vjedhja e energjisë elektrike – OSHEE: 85% e abonentëve në Kukës e Tropojë, debitorë
Njësia operacionale Task-Force e OSHEE Kukës dhe Tropojë, gjatë dy ditëve të fundit kanë ushtruar 500 kontrolle, nga ku rezultoi se 85% e abonentevë ishin debitorë.
Për këta abonentë është bërë prerja e energjise elektrike, ndërkohë që janë shoqëruar në polici dhjetëra të tjerë, të cilët vidhnin energjinë me grepa, kishin ndërhyrë në matës, nuk kishin kontrata, etj.
Sipas OSHEE gjatë këtyre kontrolleve janë konstatuar edhe skema të reja të vjedhjes së energjisë elektrike, ku abonentët shkëpusnin matësat nga muri, duke i kthyer në pozicion të kundërt e për pasojë matësi mekanik nuk shënonte konsum.
Në një tjetër rast në Tropojë, abonenti merrte energji elektrike duke lidhur kabullin direkt me shtyllën, pa matje. Në hetimin e këtij rasti është përfshirë dhe qiraxhiu qe jetonte ne banese, pasi dyshohet se lidhja mund të jetë bërë prej tij.
Sakaq, OSHEE Kukës ka denoncuar rastin e vjedhjes së 200 metra linje e Tensionit të Ulet, duke lënë pa drita 39 abonentë të zonës së Tërthores.
Sipas nenit 137 të Kodit Penal Vjedhja e energjisë elektrike, dëmtimi i matësit, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik, e kryer me qëllim përfitimi të paligjshëm, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet.
Kur kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose nga përdoruesit jofamiljarë të energjisë elektrike dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.