Yuri Kim: “Respektoni Këshillin Politik”. Ambasadorja amerikane bën apel pro marrëveshjes së 5 Qershorit dhe kërkon konsensus për listat
Në një postim në faqen zyrtare, ambasada amerikane në Tiranë i ka bërë thirrje partive politike për të respektuar frymën e të gjithë pikave të arritura më 5 Qershor në seancën e nesërme plenare. Sipas ambasadores Kim konsensusi i arritur në Këshillin Politik nuk duhet të cënohet në asnjë moment dhe përtej përmbajtjes, fryma e bashkëpunimit në këshillin politik është ajo që duhet të dominojë.
Gjatë javëve të fundit, Ambasadorja Kim ka pasur biseda të shumta mbi reformën zgjedhore me Presidentin Meta, Kryeministrin Rama, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha, anëtarë të Këshillit Politik mbi Reformën Zgjedhore, si dhe me një sërë ekspertësh e të tjerë. Në përfundim të këtij sesioni parlamentar, ambasada ka nënvizuar tre çështje si shumë të rëndësishme.
Së pari, marrëveshja e 5 qershorit, e cila u arrit nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duhet respektuar ashtu si u ra dakord për të.
Së dyti, Parlamenti ka kompetencat dhe përgjegjësinë për të marrë në shqyrtim dhe miratuar legjislacionin.
Së treti, në të njëjtën kohë, edhe pse ata të cilët “dogjën mandatet e tyre”, bazuar në përkufizimin e kësaj, kanë djegur pretendimet që mund të kishin për kompetenca dhe përgjegjësi në Parlament, nuk mund të injorohet fakti se ata, gjithsesi, përfaqësojnë një pjesë domethënëse të votuesve shqiptarë.
Më tej ambasada thekson se Këshilli Politik duhet vlerësuar i tillë jo vetëm në përmbajtje por dhe në frymë.
Partitë duhet të përfshihen në Këshillin Politik me mirëbesim. Drejtuesit përkatës kanë deklaruar se çdo veprim i Parlamentit nesër nuk i mbyll negociatat e nisura në Këshillin Politik rreth listave të hapura dhe koalicioneve. Ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Të gjitha partitë duhet të vazhdojnë të përfshihen, në mënyrë që ligjet të cilat do të miratohen në fund, të jenë rezultat i një procesi transparent dhe përfshirës, në interes të të gjithë popullit shqiptar, dhe që e çojnë vendin përpara në rrugën demokratike – ky është një detyrim që udhëheqësit shqiptarë e kanë përpara popullit shqiptar. – përfundon shkrimi i ambasadës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.