Zgjedhjet në Greqi: Kush është Mitsotakis, rivali kryesor i Tsipras?
Greqia shkon në votime të dielën dhe kreu konservator Kyriakos Mitsotakis është shfaqur si kërcënimi kryesor për Kryeministrin në detyrë, Alexis Tsipras. Mitsotakis tha se dëshiron të marrë frymë të re në ekonomi dhe të ndryshojë imazhin e vendit si “fëmija problem” i Europës pas tre shpëtimeve që nga viti 2010. Biri i ish kryeministrit Konstantinos Mitsotakis, Kyriakos u lind në një nga familjet më të fuqishme politike në Greqi. Curriculum Vitae e tij përfshin studime në universitetet prestigjioze Harvard dhe Stanford dhe eksperienca pune në firmat këshilluese të biznesit dhe në banka greke.
Maria Karaklioumi, një analiste politike tha se udhëheqësi i Demokracisë së Re Mitsotakis është “një politikan me shumë eksperiencë dhe vjen nga një familje politike, që do të thotë se ai ka një traditë politike. Njerëzit besojnë se Mitsotakis ka përvojë dhe njohuri, sepse ai punonte për bankat në Greqi, dhe ata besojnë se ai mund të kombinojë profilin e tij teknokratik me përvojën e tij dhe se ai mund të jetë një kryeministër i mirë “.
Herën e parë që Mitsotakis kandidoi për një vend në parlamentin grek ishte në vitin 2004. Ai u zgjodh në zonën e tij zgjedhore. Përmes aktivitetit të tij politik, ai u caktua si një eksponent i moderuar i qendrës liberale. Nga viti 2013 deri në vitin 2015, ai ishte Ministër për Reformën Administrative dhe e-Qeverisje nën kryeministrin e krahut të djathtë Antonis Samaras. Mitsotakis zgjodhi një linjë të fortë opozitare kundër Alexis Tsipras dhe duket se kjo ka paguar frytet. Ai arriti të fitojë përsëri dhe të bashkojë votuesit e qendrës së djathtë dhe të krahut të djathtë. Rezultati ishte një fitore e madhe për Demokracinë e Re në Zgjedhjet Europiane. Për Alexis Tsipras, nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të thërriste zgjedhje të parakohshme kombëtare.
Korrespondenti i Euronews në Athinë, Nikoleta Drougka, vuri në dukje se “deri në zgjedhjet europiane, Kyriakos Mitsotakis ishte veçanërisht i ashpër në kritikat e tij ndaj Syriza dhe Alexis Tsipras. Por në fushatën e zgjedhjeve të tij kombëtare ai zgjodhi një profil më unifikues për të tërhequr votuesit nga i gjithë spektri politik për të formuar një qeveri të shumicës, që është qëllimi i tij përfundimtar “. (Euronews)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.