Zhvillimet monetare në Eurozonë – Kredia te korporatat rritet ndjeshëm, agregati monetar M3 tërhiqet
Rritja e kredive ndaj kompanive jo-financiare në Eurozonë është rritur gjatë muajit Tetor, në nivelin më të lartë që prej krizës financiare globale, ndërsa treguesit mbi ofertën e parasë janë tërhequr, deklaron Banka Qendrore Europiane.
Ndërkohë që ekonomia e Eurozonës ndodhet në performancën më të mirë në një dekadë, BQE vendosi muajin e kaluar për të reduktuar stimujt, duke argumentuar se rimëkëmbja është përhapur gjerësisht dhe është bërë më e qëndrueshme, mbështetur nga konsumi dhe shpenzimet e korporatave. Huadhënia drejt kompanive jo-financiare u rrit në 2.9% në Tetor nga 2.4% që ishte muajin e kaluar, duke treguar nivelin më të lartë qe prej mesit të 2009-ës.
Kreditë ndaj ekonomive familjare u rritën me 2.7%, normë e pandryshuar nga muaji Shtator. Edhe pse ka pasur tendencë rritje të kredisë, norma qëndron ende poshtë nivelit që ishte përpara krizës financiare.
Rritja e agregatit monetar M3, tregues i ofertës së parasë, u ngadalësua në 5% gjatë Tetorit nga 5.2% që ishte muajin e kaluar. Agregati M1, që përfshin valutën në qarkullim dhe depozitat 1-ditore(overnight), ra në 9.4% në Tetor, nga 9.8% që ishte gjatë Shtatorit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.