“Zhytet” inflacioni në eurozonë – Bie në -0.3%, shtohen presionet ndaj BQE për të ndërhyrë
Inflacioni në eurozonë ra më thellë në territor negativ gjatë shtatorit, duke rritur ndjeshëm presionet ndaj Bankës Qendrore Europiane për të rritur stimujt. Norma vjetore e inflacionit në të 19 vendet që ndajnë monedhën e përbashkët ra në territor negativ prej 0.3% gjatë shtatorit, që është edhe niveli më i ulët në 4 vite. Muajin paraardhës ndërkohë fiksohej në -0.2%. Pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve ndërkohë flisnin për një normë të pandryshuar edhe gjatë shtatorit.
Pavarësisht se, Banka Qendrore Europiane ka aplikuar një paketë stimujsh të paprecedentë për të nxitur ekonominë e goditur rëndë nga kriza, rritja e papunësisë si dhe ndalimet e mëdha në fuqi ende për të udhëtuar kanë “rrëzuar” çmimet. Një valë e dytë e shpërthimit të infeksionit do të vështirësonte edhe më tej situatën. Pavarësisht shifrave, në Tetor nuk pritet asnjë lëvizje e re nga Banka Qendrore Europiane. Anëtarët e BQE-së e kanë sqaruar disa herë se do të duhen më shumë shifra përpara se të vendosin për të ndërhyrë, sidomos sa i përket paketave fiskale për vitin e ardhshëm.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.