Zjarret, Emergjencat Civile bëjnë bilancin: Tre vatra në Dibër, Vlorë e Elbasan

Në çdo prefekturë të vendit janë ngritur shtabet e emergjencës që janë në gatishmëri për të përballuar çdo situatë që mund të vijë si pasojë e zjarreve. Temperaturat mbeten ende të larta në vend dhe rreziku i zjarreve është evident.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në numrin 06941 10 198.
E sa i përket bilancit të deritanishëm, përgjatë 24 orëve të fundit ka patur 2 vatra zjarri në pyje në Dibër dhe Vlorë me dëme të konsiderueshme. Shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyrë megjithë vështirësitë e terrenit.
Qarku Dibër
Në fshatin Zogjë, Njësia Administrative Shupenzë, Dibër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu. Shërbimi vendor i MZSH Dibër, ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar me mjete rrethanore gjatë natës deri në mëngjes për shuarjen e zjarrit për shkak të terrenit të thyer malor. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit kanë shkuar dhe punonjës nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura si dhe banorë të zonës. Pas një pune të gjatë zjarri është shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me pyll ahu.
Qarku Vlorë
Në fshatin Zvërnec, Njësia Administrative Qendër, Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Vlorë ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre dhe pisha si dhe një kabinë elektrike që ndodhej afër zjarrit pësoi dëme materiale.
Qarku Elbasan
Në fshatin Malasenj, ka rënë zjarr tek një hotel. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Elbasan ka dërguar në vendngjarje automjete zjarrfikës me personel, të cilët kanë shuar me shpejtësi zjarrin që nuk ka krijuar dëme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.