Kriza e emigrantëve/ Ministrat e Brendshëm të BE takohen në Paris pas kërkesës së Italisë për ndihmë

Ministrat e Brendshëm të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe komisioneri i Bashkimit Evropian, përgjegjës për migracionin do të takohen sot në Paris për të diskutuar masat që duhet të ndërmarrin shtetet për çështjen e emigrantëve, pas deklarimeve të Italisë se nuk mund ta përballonte e vetme ardhjen e tyre nga Mesdheu.
Kryeministri italian Paolo Gentiloni tha më 29 qershor se Italia kishte nevojë për ndihmën e BE, pasi 10 000 emigrantë u shpëtuan në brigjet jugore të vendit, vetëm në një javë. Zyrtarët italianë kanë “kërcënuar” se mund të pengojnë hyrjen në porte të anijeve jo italiane me emigrantë të shpëtuar në det, në një kohë që sipas tyre e kanë të sugjeruar “që emigrantët e shpëtuar të merren edhe në vende të tjera të BE”.
Në takim do të jenë të pranishëm Gerard Collomb, ministri i Brendshëm francez, Thomas De Maiziere ministri i Brendshëm gjerman, Marco Minniti ministri i Brendshëm italian, si dhe komisioneri i BE për emigrantët, Dimitri Avramopulos.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.