Zona e lirë ekonomike në Spitallë – MZHETS shpall fituesin e tenderit, oferta 39 mln euro
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka shpallur fituesin e tenderit për ndërtimin, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e zonës së lirë ekonomike në Spitallë.
Përmes njoftimit, të publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik bëhet me dije se, fitues është bashkimi i përkohshëm i 3 operatorëve: ”Pelikan” shpk, “The Best Construction” shpk dhe “Vëllezërit Hysa” SHPK.
Oferta e tyre është vlerësuar me 71.2 pikë, duke lënë pas ofertën e Edil-Al-IT, e cila arriti të marrë 70.6 pikë.
Sipas projektit të paraqitur, bashkimi i operatorëve parashikon ndërtimin e një fabrike për pasurimin e ferro-kromit, ndërsa vlera e ofertës është rreth 39 milionë euro.
Sipërfaqja e zonës që do të ndërtohet dhe zhvillohet është 101.22 hektarë, për një periudhë 99 vjet.
Ndërkaq, sipas njoftimit të APP, konsorciumi i operatorëve do të duhet të paraqesë pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik sigurimin e kontratës sipas formës së kërkuar në Dokumentet Standarde të Procedurës Konkurruese si dhe dokumentin bankar që vërteton pagesën e kryer për shpenzimet e publikimit dhe shpenzimet e konsulencës së specializuar.
Njoftimi i renditjes së fituesit të këtij tenderi u bë fillimisht në datën 5 korrik, por u kundërshtua nga ofertuesi i dytë. Kjo ishte edhe arsyeja përse kompania, EDIL AL-IT, depozitoi edhe ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik, por përmes një shkrese që mban datën 17.07.2017 operatori u njoftua se ankesa nuk u pranua.
Spitalla u shpall zonë e lirë ekonomikë në maj të këtij viti, kohë kur ministrja e Ekonomisë, Milva Ikonomi bëri me dije se po shqyrtoheshin 2 oferta për zhvillimin e saj. Sipas kreut të ekonomisë, përfitimi më i madh nga zona është rritja e produktivitetit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.