Zv/Presidentja e Parlamentit Europian: Jo HEC mbi Vjosë. Fokusohuni te zhvillimi i ekonomisë, ekoturizmit, por pa dëmtuar mjedisin
Zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, tha se ka qenë dhe vazhdon të jetë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin e Vjosës. “Lumi i Vjosës është i vetmi në Europë, që është në rrjedhje të lirë”, ka pohuar ajo gjatë një takimi me gazetarë nga Shqipëria në Parlamentin Europian në Bruksel.
Është e vërtetë që Shqipëria ka nevojë për energji, por jo në këtë lumë, shprehet Lunaçek, sipas së cilës, në këtë zonë Shqipëria mund të bëjë investime në ekoturizëm.
Lunaçek thotë se ajo ia ka shprehur dhe kryeministrit shqiptar mendimin e saj, por gjithsesi shton se në Shqipëri tani e gjithë vëmendja është e përqendruar te zgjedhjet. Zëvendëspresidente e Parlamentit të EU, Lunaçek, flet me adhurim për kanionet e Vjosës, të cilat i ka vizituar dhe parë nga afër.
Ajo pohon se nuk ka një studim të qartë për të evidentuar se çfarë flore dhe faune ka në atë zonë. “Para çdo projekti është shume e rëndësishme të bëhet vlerësimi mjedisor”.
Ajo është skeptike nëse vlerësimi që po bëhet nga firma turke është në linjë me standardet europiane të energjisë, një element që është shume i rëndësishëm.
Po të bllokohet uji, flora nuk do te mbijetojë, ndërsa nuk dihen as pasojat e përmbytjeve te banorët, duhen bërë seanca dëgjimore me ta.
“Ndërtoni HEC-e të tjera, por ju lutem lëreni Vjosën”, është këshilla e zv/presidentes së Parlamentit Europian.
Nga Brukseli, Violeta Shqalsi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.