32 oferta për Alitalian – Ryanair dhe Lufthansa në garë për të mbledhur copat
“Janë 32 shprehje interesi të marra”. Është kjo çka konfirmon komisari i jashtëzakonshëm i Alitalia, Stefano Paleari, në raportin e prezantuar para Entit Kombëtar të Aviacionit Civil (ENAC).
“Kemi nisur këtë mëngjes me hapjen e zarfeve tek noteri. Punët sapo kanë nisur”, shtoi Paleari, por nuk tha nëse janë të gjitha oferta blerjeje, apo edhe propozime të tjera.
Nga kompanitë e interesuara, Ryanair ka dalë hapur duke konfirmuar shprehjen e interesit, por zbuloi se nuk ka ndërmend të blejë kompaninë, por të marrë përsipër rrugët me rreze të gjatë të Alitalias.
“Kemi folur edhe me Qeverinë dhe thamë se jemi të gatshëm të vendosim 20 mjete ajrore në rast se Alitalia shkurton rrugët”, tha zëdhënësi i Ryanair.
Një interes të ngjashëm ka shfaqur edhe Lufthansa, e cila vlerësoi destinacionet e gjata të kompanisë, si dhe tregun e Italisë, por u tregua e gatshme vetëm për të blerë disa asete të Alitalias si flotën dhe oraret, në rast se dalin në shitje.
Për Alitalia, është një rezultat përtej pritshmërive, por mungesa e një oferte blerjeje nga një kompani e madhe europiane bën që italianët të shqyrtojnë edhe operatorët globalë.
Në këtë rast, më të përfolurat për blerje është amerikania Delta, si dhe disa linja të tjera të mëdha si kinezët e Hainan Airlines dhe Air China; Air France, Turkish Airlines e deri tek Etihad Airways.
Tashmë, ofertat do të seleksionohen deri në Korrik, ndërsa në Tetor pritet të nisë procesi i negociatave me ofertuesit më seriozë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.