$4 mld humbje në tre muaj – “Tata Motors” thyen rekord, kompania në rrezik
Kompania indiane e makinave, Tata Motors ka pësuar një humbje kolosale, aq sa të thyejë rekord në historinë e Indisë. Të dhënat i takojnë vetëm një tremujori dhe flasin për 4 miliardë dollarë, rrjedhojë e shitjeve më të dobëta në Kinë, çka ka bërë që aksionet e saj të bien me 30%. Tata Motors është kompania që ka nën pronësi edhe gjigandë si Jaguar apo Land Rover.
Kompania ka deklaruar se pikërisht njësia e jaguar Land Rover do të operojë në humbje deri në muajin Mars, si pasojë e shitjeve të dobëta. Njësia britanike e prodhimit të automjeteve të Tata Motors është edhe më fitimprurësja për kompaninë. Kjo njësi, në Kinë raporton thuajse përgjysmim të shitjeve deri në muajin Dhjetor të vitit të kaluar.
Kërkesa për makina në tregun më të madh të automjeteve në botë u regjistrua në rënie për të parën herë që prej vitit 1990. Kompania ka vuajtur shumë edhe shqetësimet që lindin me Brexit si dhe periudhën e vështirë që po kalon biznesi i makinave me naftë. Humbja e Tata Motors prej 3.8 miliardë dollarësh në tremujorin e tretë të vitit është më shumë se gjysma e kapitalizimit të saj në treg, prej 6.1 miliardë dollarësh.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.