Aeroporti Gatwick i bën thirrje qeverisë – Kërkon zbutje të masave për udhëtimet. Humbje me 245 milion paund
Aeroporti Gatwick në Britani i bëri thirrje qeverisë që të bëjë udhëtimin ndërkombëtar më të lehtë, pasi masat e karantinës kanë sjellë një humbje në gjysmën e parë të vitit prej 245 milionë paundë dhe e ka detyruar t’i kërkojë bankave një përjashtim të përkohshëm nga detyrimet. Rregullat e ashpra të Covid gjatë 6 muajve deri më 30 Qershor, kanë bërë që numri i pasagjerëve tek Gatwick, aeroportin me aktivitetin e 2-të më të madh në Britani, të bjerë me 97% nga niveli i para pandemisë.
Aeroporti, që zotërohet kryesisht nga francezja Vinci, theksoi se ndodhet në bisedime me bankat për një falje të përkohshme të kushteve të huamarrjes, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme që kanë ndikuar trafikun ajror. Rivali më i madh Heathrow, deklaroi në Korrik se ka kërkuar gjithashtu një shtyrje të detyrimeve. Britania ka rihapur në mënyrë të ngadaltë udhëtimet krahasuar me pjesën tjetër të Europës, pavarësisht programit të shpejtë të vaksinimit, ç’ka ka nxitur kritika nga aeroportet dhe linjat ajrore si British Airways dhe easyJet.
Qe prej muajit Korrik, Qeveria ka lehtësuar disa masa por testet e shtrenjta të covid për shumë destinacione vazhdojnë të qëndrojnë dhe rregullat në minutë të fundit kanë goditur udhëtimin.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.