‘Arrestohet kreu i Nissan’ – Akuzat, fshehje e pagës dhe përdorim personal i parave të kompanisë
Kreu i kompanisë gjigante të automjeteve japoneze Nissan, Carlos Ghosn po merret në pyetje nga prokurorët e Tokios dhe do të arrestohet me dyshimin për mos-raportimin e pagës së tij.
Sipas Reuters, gazeta Asahi raportoi në faqen e saj se prokurorët kishin filluar kërkimin në zyrat e selisë së Nissan dhe vende të tjera. Ghosn, i cili është edhe kryetar dhe shef ekzekutiv i Renault duhej të arrestohej. Nissan tha se do të informonte gazetarët në një moment tjetër.
Zyra e Prokurorit Publik të Qarkut në Tokio nuk pranoi të komentojë. Aksionet e Renault ranë ndjeshëm në Paris dhe u ulën 5.5 për qind në tregtinë e hershme, në mesin e aksioneve më të këqija në Europë. Letrat me vlerë të listuara në Gjermani u zhytën në 12 për qind. Në qershor, aksionarët e Renault miratuan kompensimin e Ghosn për 7.4 milionë euro (8.45 milion dollarë) për vitin 2017. Përveç kësaj, ai mori 9.2 milionë euro në vitin e tij të fundit si drejtues ekzekutiv i Nissan. Prodhuesi i makinave tha se kryetari Carlos Ghosn kishte përdorur paratë e kompanisë për përdorim personal. Ai gjithashtu tha se bordi i tij do të propozojë që Ghosn të largohet menjëherë nga posti.
Ghosn, një ekzekutiv i huaj dhe i rrallë në Japoni, konsiderohet mjaft i zoti pasi ka ndihmuar Nissan kur ishte afër falimentimit. Ai filloi karrierën e tij në Michelin në Francë për të përfunduar më pas tek Renault. Ghosn u bashkua me Nissan në vitin 1999.
E.T/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.