Arti nën “kthetrat” e regjimit/ Censurohen karaoket në Kinë
Kina do të ndalojë shumë shpejt këngët karaoke që kanë “përmbajtje të paligjshme”, ka bërë me dije Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Sipas kësaj ministrie këngët që përfshihen në këtë kategori janë ato që rrezikojnë unitetin kombëtar dhe sovranitetin.
Rregullat që do të ”censurojnë” karaoket do të hyjnë në fuqi në 1 tetor.
Ndër të tjera nuk do të lejohen edhe këngët që nxisin urrejtjen kombëtare,rrezikojnë sigurinë kombëtare,shkelin politikat fetare të vendit apo përhapin lojërat e fatit, dhunën dhe aktivitete të tjera kriminale.
Sipas ministrisë Kina ka më shumë se 50,000 mijë vende që shërbejnë për muzikë dhe karaoke. Kjo nuk është hera e parë që Kina ndalon këtë aktivitet, rikujtojmë se në vitin 2015,ministria lëshoi një listë me 120 këngë që promovonin sjellje të turpshme , duke e konsideruar këtë të fundit “lista e zezë”.
Këngët si “Huliganët e Pekinit”, “Ditari i Vetëvrasjes” dhe “Nuk dua të shkoj në shkollë” ishin ndër ato që përshkruheshin se kishin “përmbajtje shumë problematike”, sipas një raporti nga media shtetërore Global Times.
Censura është e zakonshme në Kinë, me kompanitë e mediave sociale që heqin në mënyrë rutinore përmbajtje që perceptohet se është kërcënuese për stabilitetin social ose Partinë Komuniste në pushtet.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.