Australi, tymi pengon shpëtimin – Autoritetet presin rikthimin e zjarreve gjatë javës
Autoritetet australiane përfituan nga moti i mirë në nisje të Javës për të rihapur rrugët e bllokuara nga zjarri, por tymi i madh pengoi operacionet e shpëtimit dhe qindra njerëz mbetën të bllokuar.
Zjarri rrafshoi mbi 8 milionë hektarë tokë, një zonë thuajse sa sipërfaqja e Austrisë, duke vrarë 25 persona, shkatërruar shtëpi dhe shkëputur energjinë elektrike.
Dita e dytë me reshje dhe erëra të lehta sollën pak lehtësim, por autoritetet paralajmëruan se moti i rrezikshëm pritet të rikthehet gjatë Javës.
Kryeministri Scott Morrison, që ka qenë subjekt i kritikave për dështimin e trajtimit të ndryshimit klimatik, lajmëroi një paketë prej 1.4 miliardë dollarë për një Agjenci të re të quajtur Rimëkëmbja Kombëtare nga Zjarri.
Ai tha se thuajse 4,000 krerë bagëti janë djegur nga zjarri, ndërkohë që numri i kafshëve të egra është shumë më i madh. Sezoni i zjarreve nisi më herët se zakonisht këtë vit në Australi, pas një thatësire 3-vjeçare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.