Bien rastet me Covid në Indi / OBSH dyshon se nuk po testohet mjaftueshëm. Virusi zhvendoset në fshatra
India raportoi në nisje të Javës një tjetër rënie të rasteve me koronavirus , pavarësisht se vdekjet vazhdojnë sipër 4,000 dhe ekspertët paralajmëruan se numri është i pabesueshëm për shkak të mungesës së testeve në zonat rurale, ku është zhvendosur virusi. Asnjë vend në botë nuk është goditur më rëndë se India në muajt e fundit nga pandemia, ndërkohë që varianti i ri ka nxitur një rritje të infeksioneve në mbi 400,000 në ditë. Pavarësisht rënies në ditët e fundit, ekspertët thonë se nuk ka siguri se infeksioni ka arritur majën, ndërkohë që është ndezur alarmi si brenda dhe jashtë vendit për variantin B.1.617 më ngjitës. “Shumë pjesë të vendit nuk kanë arritur ende majën e infeksionit”- tha shefja mjekësore e Organizatës Botërore të Shëndetësisë Soumya Swaminathan. Ajo theksoi gjithashtu normën tejet të lartë të rasteve pozitive kombëtare, në rreth 20% të testeve të ndërmarra. Sipas saj, testimi është ende në mungesë në shumë pjesë të Indisë dhe kur shihen rezultate të larta pozitive, nënkupton se nuk po testohet mjaftueshëm. Pasi nisën rënien në javën e kaluar, rastet e reja në 24 orët e fundit shënuan 281,386, duke rënë poshtë 300,000 për të parën herë që prej 21 Prillit. Me normën aktuale të infeksioneve, totali në Indi pritet të kalojë 25 milionëshin në ditët e ardhshme.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.