Bunkerët që ruajnë 10 miliardë dollarë në kriptovaluta – Ja si funksionon procesi
Pas rojeve, dyerve të blinduara dhe poshtë korridoreve të përforcuara me çemento, qëndrojnë serverat kompjuterikë të koduar, të cilët nuk janë të lidhur me asgjë dhe që mbajnë çelësin e një pasurie digjitale gjigande. 10 miliardë dollarë.
Sipërmarrësi nga Argjentina, Wences Casares, ka kaluar disa vite duke bindur miliarderët në Shtetet e Bashkuara se Bitcoin është valuta botërore e së ardhmes dhe se ata duhet ta blejnë e ta ruajë ai. Disa klientë të tij madje e quajnë “pacienti zero”, pasi është ndër influencuesit më të mëdhenj dhe ndër të parët që kanë bërë thirrje për të investuar në kriptovaluta.
Kompania e tij, Xapo, ka ngritur një rrjet me kasaforta e bunkerë nëntokësorë në 5 kontinente.
“Çdokush që nuk po i mban vetë çelësat po i mban tek Xapo. Edhe po të më paguaje nuk do i ruaja diku tjetër”, shprehet Ryan Radloff nga kompania CoinShares, i cili ka mbi 500 milionë dollarë të ruajtura tek Xapo.
Në fakt, pasuria gjigande që fsheh Xapo përbën gati 7% të rezervave botërore të Bitcoin.
Rregulli i parë i të zotëruarit Bitcoin është të mbash të sigurt çelësin tënd privat, pra kodin që të lejon të shpenzosh monedhat. Nëse hajdutët e marrin atë, ata mund të zbrasin në një çast të gjithë pasurinë tënde, pa pasur asnjë shpresë që ta rimarrësh sërish.
Duke e vendosur këtë çelës në një pajisje të lidhur me internetin (si kompjuterët, celularët, etj.) vjedhja është diçka e lehtë për hackerat.
Për këtë arsye metoda më popullore për ruajtjen është të mbajturit çelësin në një pajisje që është offline. Megjithatë, edhe kjo ka rreziqe, pasi hackerat mund të vendosin kurthe për të aksesuar në këtë pajisje në çastin që lidhet me internetin. Shumë keqbërës madje kanë kryer vjedhje në banesa dhe pengmarrje për të fituar çelësat e portofoleve virtuale. Ndaj shumë milionerë të Bitcoin janë detyruar të fshehin identitetin dhe të mësojnë vetëmbrojtjen.
Zgjidhja e Xapos është ruajtja në pajisje offline, të futura në anë të maleve dhe të ruajtura nga disa shtresa sigurie elektronike. Për të marrë Bitcoin nga kasaforta duhen rreth dy ditë. Kompania verifikon identitetin e klientit dhe vërteton kërkesën përpara se të kryejë manualisht transaksionet me çelësa privatë nga disa vendndodhje të kasafortave.
Që të autorizohet çdo transaksion, duhet aprovimi nga të paktën tre kasaforta të ndara. Por kompania ka krijuar për lehtësi një zyrë shkëmbimi, për të blerë dhe shitur Bitcoin, si dhe ka krijuar kartën e parë të debitit me Bitcoin.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.