Dobësohet tregu i makinave – Shitjet në Europë bien në nivelin më të ulët në 5 vite, kryeson Britania
Shitjet e makinave në Europë janë ngadalësuar në tremujorin e parë, duke treguar performancën më të dobët në 5 vite, prej rënies së kërkesës nga konsumatorët britanikë, që është tregu i dytë më i madh i rajonit.
Regjistrimet për tremujorin e parë u rritën me 0.6%, sipas të dhënave të Shoqatës Europiane të Prodhuesve të Makinave në Bruksel. Shifra ishte më e ngadalta që prej tremujorit të dytë 2013, kur rajoni ndodhej në recesion.
Sipas grupit në Bruksel, rënia me 5.2% në Mars, që erdhi në 3 tregje kryesorë si Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, tregon se vrulli po ngadalësohet. Shitjet e automjeteve ranë në 8 nga 10 grupet më popullore në Europë për Marsin, me rënien më të madhe që e regjistroi Ford, Fiat-Chrysler, BMW dhe Nissan.
Perspektiva ka qenë negative në Britani, ku shitjet ranë me 16% për Marsin dhe 12% për tremujorin e parë. Kjo erdhi pjesërisht prej motit të ftohtë dhe rritjes së taksave për automjetet, që hyri në fuqi në Prill 2017.
Shpenzimet konsumatore kanë rënie gjithashtu në Britani, sipas ofruesit të kartave të kreditit, Visa. Treguesit mbi ekonominë në Eurozonë janë ngadalësuar gjithashtu, në një kohë të përplasjeve tregtare me SHBA.
Humori po përkeqësohet gjithashtu nga mungesa e një marrëveshjeje mes Bashkimit Europian dhe Britanisë për daljen nga blloku tregtar, gjë që ka sjellë uljen e planeve për investime nga bizneset.
Në tregun më të madh të makinave në Europë, Gjermani, 2 institute të hulumtimit treguan për një rënie të besimit të investitorëve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.