Dollari do qëndrojë i fortë edhe për 3-6 muaj – Pas 1 viti, pritet të bjerë në 1.18 kundër euros
Dollari amerikan, që ka mbizotëruar në tregjet e këmbimit valutor që prej vitit të kaluar, do të qëndrojë i fortë për 3-6 muaj të tjerë, përpara se të nisë zhvlerësimin, sipas një sondazhi të Reuters.
Të dhënat e dobëta ekonomike në vendet e tjera kanë inkurajuar spekulatorët që të rrisin bastet në favor të dollarit, në nivelin më të lartë që prej vitit 2015. Pasi fitoi më shumë se 4% në vitin 2018, indeksi i dollarit ndodhet në rritje me 2% deri më tani për vitin.
Anketimi i më shumë se 70 analistëve të këmbimit valutor i Reuters zbuloi se dollari do humbasë vlerën e shtuar për këtë vit kundër valutave kryesore, në një periudhë 12 mujore. Fuqizimi i valutës pritet të zgjasë të paktën deri në Tetor, sipas 75% të përgjigjeve në sondazh.
Pritshmëritë për fuqizimin e dollarit amerikan në terma afat-shkurtër, janë nxitur kryesisht nga të dhënat pozitive të ekonomisë amerikane.
Kryetari i Rezervës Federale Jerome Powell, tha pas takimit 2-ditorë të politikave monetare këtë javë se nuk sheh ndonjë arsye se pse të ndryshojë normat e interesit.
Sipas analistëve të Wells Fargo, tregjet kishin qenë tejet optimist mbi valutat e huaja dhe shumë pesimist për dollarin, për shkak të projeksioneve pozitive jashtë Shteteve të Bashkuara. Sipas sondazhit, indeksi i dollarit pritet të performojë dobët në një periudhë 12 mujore, ku euro projektohet të rritet me 5%, në 1.18 dollarë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.