Ekonomia franceze në vrull – Banka Qendrore rrit projeksionet, pret thyerjen e normës për deficitin
Ekonomia franceze pritet të zgjerohet sipër projeksioneve deri në vitin 2019, falë tregtisë më të fortë ndërkombëtare, megjithatë rrezikon të thyejë limitet e deficitit publik, projekton Banka Qendrore.
Edhe pse ekonomia, ashtu si në të gjithë Eurozonën po rimëkëmbet sipër projeksioneve, Guvernatori i Bankës, Francois Villeroy de Galhau tha se politikat monetare lehtësuese do të qëndrojnë.
“Nuk jemi ende në objektivin e inflacionit në 2% në terma afat-mesëm”, tha Guvernatori. Banka Qendrore Europiane deklaroi në takimin e Qershorit se nuk do të ketë më ulje të normës së interesit, duke vlerësuar se ekonomia po rimëkëmbet, megjithatë tregoi se inflacioni do të qëndrojë i dobët.
Në përditësimin 6-mujor, Banka e Francës deklaroi se rritja ekonomike do të përshpejtohet në 1.4% këtë vit dhe 1.6% në dy vitet e ardhshme. Ndërsa përmirësimi i tregtisë ndërkombëtare do të nxisë aktivitetin ekonomik, shpenzimet konsumatore do të ofrojnë më pak suport se në vitet e fundit.
Banka e Francës pret që inflacioni të rritet në 1.2% këtë vit dhe tjetrin, ndërsa për 2019-ën do të shënojë 1.4%. Projeksionet për deficitin publik qëndrojnë në 3.1% në raport me PBB, sipër 2.8% që pritej nga qeveria socialiste. Kjo tregon se Franca do ta kalojë përsëri limitin prej 3% të Bashkimit Europian, edhe pse Qeveria e Francois Hollande premtonte se ky vit do të ishte i pari në një dekadë që norma do të respektohej.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.