Ekonomia gjermane në vrull – Ministria e Financave pret një rritje me 0.6% në tremujorin e dytë
Ekonomia gjermane është gjallëruar dhe pritet të realizojë një rritje të fortë, pavarësisht rreziqeve të jashtme, si rezultati i panjohur i negociatave për Brexit dhe politikat e ardhshme tregtare të presidentit amerikan Donald Trump.
“Treguesit ekonomikë sugjerojnë se, aktiviteti i fortë ka vazhduar edhe në tremujorin e dytë”, shkruan Ministria e Financave në raportin mujor, duke nënvizuar prodhimin e fortë industrial dhe optimizmin e bizneseve.
Produkti i Brendshëm Bruto i Gjermanisë pritet të jetë rritur me 0.6% në tremujorin e dytë, e njëjta normë me tre muajt e parë të vitit. “Megjithatë, rreziqet nga negociatat e Brexit dhe politikat tregtare në Shtetet e Bashkuara janë ende prezente”, deklaron Ministria. Zyra Federale e Statistikave do të publikojë të dhënat paraprake mbi rritjen ekonomike për tremujorin e dytë në mes të muajit Gusht.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rritur projeksionet për ekonominë më të madhe të Europës dhe pret tashmë një zgjerim me 1.8% për 2017-ën dhe 1.6% në vitin 2018. Qeveria gjermane mbetet më pesimiste dhe ka dhënë deri më tani një vlerësim prej 1.5% për 2017 dhe 1.6% për 2018-ën.
Të dy projeksionet janë poshtë rezultatit të vitit 2016, ku rritja u përshpejtua në 1.9%, që është norma më e fortë në 5 vite.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.