Financat publike të Britanisë – Rritet deficiti buxhetor në Qershor, bie borxhi publik
Qeveria e Britanisë regjistroi një rritje të deficitit buxhetor në muajin Qershor, pavarësisht se kostot e huamarrjes në tre muajt e parë të vitit financiar kanë qenë më të ulëta që prej vitit 2007. Deficiti në Qershor qëndroi në 5.394 miliardë paund. Deri më tani për vitin financiar, deficiti arrin në një total prej 16.8 miliardë paund, në rënie me 24.4% nga periudhë Prill-Qershor e vitit 2017. Deficiti qëndronte në 9.9% të PBB kur ish-ministri i Financave, George Osborne, mori detyrën në vitin 2010 dhe nisi programin shumë-vjeçar të reduktimit të shpenzimeve.
Në majin Mars, zyra përgjegjëse për buxhetin në Brtiani, deklaroi se hendeku mes të ardhurave dhe shpenzimeve të Qeverisë pritet të bie këtë vit financiar në 37 miliardë paund apo 1.8% të PBB. Që prej atëherë, Kryeministrja Theresa May ka premtuar shpenzime shtesë prej 20 miliardë paund në shëndetësi. Hammond ka thënë se do të shpjegojë financimin e këtyre në deklaratën për buxhetin në Vjeshtë. Zyra e Buxhetit ka vlerësuar se Brexit do të jetë një tjetër faktor gërryes në financat publike.
Britania ka bërë më shumë progres në përmirësimin e financave publike vitin e kaluar se sa mbikëqyrësit prisnin, për shkak se ekonomia u ngadalësua më lehtë se sa pritej. Hammond kërkon një suficit buxhetor deri në mes të 2020-ës, në mënyrë që të nisë uljen e borxhit publik në mënyrë më të shpejtë. Borxhi publik qëndroi në 1.79 trilionë paund apo 85.2% të PBB, në rënie nga 86.2% që ishte në Qershor të vitit 2017. Megjithatë, borxhi ka kaluar dyfishin e nivelit të para-krizës. Të dhënat bazë të borxhit në sektorin publik janë të fryra nga skema e përkohshme e stimujve e Bankës së Anglisë, që pritet të përfundojë këtë vit. Duke hequr këto efekte, borxhi në raport me PBB në Britani rezultoi në 76.1%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.