“Fundoset” bitcoin – Bie poshtë 6,000 dollarëve, ndiqet nga monedhat e tjera alternative
Tronditja në tregun e kriptovalutave ka çuar Bitcoin në nivelin më të ulët që prej Tetorit, ndërkohë që shqetësimet mbi rregulloret më të ashpra nga autoritetet në SHBA dhe bankierët qendrorë në të gjithë botën, kanë dhënë arsye të tjera për të shitur monedhën.
Kriptovaluta më e famshme ra poshtë 6,000 dollarëve këtë javë, ndërkohë që edhe monedhat e tjera (altcoin) si Ripple, Ethereum dhe Litecoin patën rënie sipër 10%-shit.
Kriptovalutat të renditura në Coinmarketcap, kanë humbur më shumë se 500 miliardë dollarë në vlerë tregu që prej fillimit të Janarit, ndërkohë që qasja nga autoritetet është ashpërsuar, emetuesit e kartave të kreditit ndaluan blerjen dhe ndërkohë që investitorët janë bërë gjithnjë e më të shqetësuar mbi rritjen e pajustifikuar të aktiveve dixhitale në vitin e kaluar.
Rënia këtë javë erdhi paralelisht me shitje të mëdha në tregjet globalë të kapitaleve. Sipas Bloomberg, disa lojtarë të tregut po përpiqen ti kërkojnë Kongresit që të konsiderojë mbikëqyrje federale të platformave që tregtojnë kriptovalutat, ku shumica e tyre operojnë jashtë kuadrit rregullator.
Krerët e Komisionit të Tregtimit të Lëndëve të Para (CFTC) dhe Komisionit të Bursave dhe Letrave me Vlerë (SEC), do të jenë prezentë në një Komision mbi Bankingun të Senatit, për të diskutuar kriptovalutat.
Në Europë, zyrtarët e Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare në Bazel, kanë bërë të ditur se duhet një ndërhyrje në tregun e kriptovalutave për shkak të ndikimeve në sistemin financiar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.