G20, përballja “Trump-Xi” – SHBA përgatitet për bisedime produktive mbi tregtinë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se synon bisedime produktive me homologun kinez Xi Jinping mbi luftën tregtare, që po ngadalëson ekonominë botërore. Megjithatë, ai tha se nuk ka bërë ndonjë premtim për heqjen e tarifave. Proteksionizmi tregtar dhe shenjat e ngadalësimit të ekonomisë botërore pritet të mbizotërojnë samitin 2-ditor të Grupit të 20 në Osaka, Japoni. Për të përgatitur terrenin, Zv/Kryeministri kinez, Liu He, takoi sekretarin e thesarit, Steven Mnuchin dhe përfaqësuesin e tregtisë, Robert Lightizer në hotel, ku po qëndron delegacioni i Shteteve të Bashkuara. Pritshmëritë për ulje të tensioneve mes 2 ekonomive më të mëdha në botë gjatë takimit Trump-Xi Jinping, janë zbehur.
“Minimalisht, do jenë produktive. Le të shohim se si do jetë rezultati”, tha Trump pas takimeve me liderë, ku e bëri të qartë se prioritet për të janë marrëveshjet dy-palëshe tregtare që nxisin ekonominë e SHBA. Ndërsa pyetej nëse do të ndalojë tarifat ndaj 300 miliardë dollarë mallrave kinezë për 6 muaj, Trump u përgjigj që “jo”. Trump ka vendosur deri më tani tarifa në 250 miliardë dollarë mallra kinezë të importit dhe po kërcënon zgjerimin e tyre ndaj 300 miliardë dollarë mallrave, duke taksuar të gjithë eksportet e Kinës drejt SHBA.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.