Greqia marrëveshje për arin / I jep “OK” kompanisë kanadeze Eldorado për investimet në miniera
Politikanët grekë nënshkruan një kontratë të rishikuar me kompaninë kanadeze të minierave “Eldorado Gold Corp”, duke krijuar mundësinë për rinisjen e një investimi gjigant të minierave, që kishte ngecur prej vitesh mbi shqetësime të mjedisit dhe licensave.
Kompania me seli në Vancouver, është përfshirë prej vitesh në një debat me Greqinë për çështje të mjedisit në lidhje me projektet në Skouries dhe Stratoni në Veri të vendit.
Qeveria e mëparshme Siriza revokoi lejen dhe vonoi licensimin për operacionet e minierave të Eldorado, duke bërë që kompania të ndalojë planin e investimeve dhe të kërkojë qindra milionë euro në kompensim. Të dy palët e çuan çështjen në gjyq por kanë dështuar të arrijnë në dakordësi. Qeveria konservatore e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis rinisi bisedimet me kompaninë pasi mori pushtetin në vitin 2019. Ai e sheh projektin si një investim jetësor për vendin që po has vështirësi nga kriza financiare. Muajin e kaluar, Greqia nënshkroi një marrëveshje të amenduar me Eldorado, përfshirë për një plan më të madh të investimit prej 3.1 miliardë dollarë për minierat, krijimin e vendeve të punës dhe honorareve më të larta. “Kemi nevojë për investime dhe nuk mund ta arrijmë këtë duke larguar investitorët e mëparshëm”- tha ministri i mjedisit, Kostas Skrekas. Eldorado deklaroi se marrëveshja është përfituese për të dyja palët.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.