Huawei, me sistem të ri të operimit/ “HarmonyOS” do zëvëndësojë “Android” së shpejti
Huawei ka zhvilluar sistemin e vetë të operimit, të quajtur HarmonyOS. Në konferencën e programuesve të Huawei në Kinë, kompania bëri të ditur se sistemi i ri i operimit mund të përdoret në shumë aparate, jo vetëm te smartphonat. HarmonyOS do të përdoret fillimisht produktet me ekranë smart, si televizorët, më vonë gjatë vitit.
Në 3 vitet e ardhshme, sistemi operues do të përdoret në aparate të tjera, përfshirë orët smart dhe automjetet. Kompania deklaroi se sistemi i operimit do të nisë fillimisht në Kinë dhe pastaj do të zgjerohet në të gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara e vendosën Huawei në listë të zezë gjatë muajit Maj, që kufizon kompanitë amerikane, përfshirë Google, për të shitur produktet te gjiganti kinez. Pas këtij vendimi, Google deklaroi se ka ndaluar aktivitetin e biznesit me Huawei. Megjithatë, qeveria amerikane lehtësoi më vonë këto barriera dhe lejoi Google që të bashkëpunojë me Huawei për 90 ditë, afat që po mbaron.
Huawei ka bërë të ditur më parë se po përpiqet të nxjerrë sistemin e vetë të operimit në treg. Kompania deklaroi se është e paqartë nëse mund të përdorin ende Android dhe shtoi se produktet që janë shitur me sistemin e Google nuk do ndikohen nga sanksionet.
Harmony do të jetë një software me burim të hapur, ç’ka tregon se prodhues të tjerë të aparatëve mund ta përdorin. Kjo mund të nxisë rritjen e shitjeve dhe të tërheqë më shumë programues që të krijojnë aplikacione për këtë sistem.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.