India në vrullin e ndërtimit të tualeteve – 20 miliardë dollarë për të përmirësuar higjienën
India ndodhet në vrullin më të madh në historinë e njerëzimit për ndërtimin e tualeteve, diçka që i ka shërbyer më së miri edhe kompanive në këtë sektor.
Plani 20 miliard dollarësh i kryeministrit Narendra Modi “Të pastrojmë Indinë” synon të ngrejë 111 milionë tualete në pesë vite. Krahas premtimit për të përmirësuar shëndetin, sigurinë dhe dinjitetin e qindra miliona indianëve, nisma kombëtare për higjienën ka nxitur me 81% shitjet edhe në materialet e ndërtimit dhe me 48% shitjet e sanitareve të tualetit.
Qëkurse nisi projekti në vitin 2014, rreth 80 milionë shtëpi kanë ndërtuar tualete brenda banesës së tyre dhe pritet që deri në Tetor 2019 të arrihet mbulimi i plotë.
Në fushatë është angazhuar edhe Bollywood, i cili madje i ka kushtuar edhe një film promovimit të kësaj nisme. Disa nga kompanitë që kanë pasur përfitim direkt në shitje, i janë bashkuar nismës qeverisë si një iniciativë sociale më shumë se sa një mundësi biznesi.
Përpara programit të Modi, India numëronte gjysmën e 1.1 miliardë njerëzve nëpër botë që kryenin nevojat e tyre në fusha, plazhe apo hapësira të tjera të hapura. Kjo shkaktonte ndotje në ushqime dhe ujin e pijshëm, duke përhapur sëmundje të ndryshme, të cilat i kushtonin vendit 6.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.