India raporton mbi 368,000 raste / Totali po afron në 20 milion. Ekspertët, thirrje për masa të ashpra
India ka raportuar 368,147 raste të reja me covid-19 në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në mbi 19.9 milionë, sipas ministrisë së Shëndetësisë. Kjo shënoi ditën e 12 radhazi që rastet ditore kalojnë 300,000 në vend, duke e çuar totalin në 19.93 milionë. Përveç infeksioneve, edhe numri i vdekjeve është rritur, me 3,417 në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në 218,960. Rastet aktive janë në mbi 3.4 milionë, ndërsa 16.3 milionë janë shëruar dhe nxjerrë nga spitalet. Mbi 292 milionë teste janë zhvilluar deri ditën e Diel, prej të cilëve 1.5 milionë ishin vetëm për të dielën, sipas të dhënave nga Këshilli i Hulumtimeve Mjekësore në Indi. Sipas mediave lokale, task forca e Covid-19 në Indi, i ka sugjeruar qeverisë që të aplikojë masa të karantinës. New Delhi, një nga zonat më të ndikuara në Indi, ka regjistruar një total të vdekjeve prej 16,966, ndërkohë që ka qenë në karantinë për tre javë me radhë. Shifrat ditore vazhdojnë të shënojnë rekord çdo ditë në vend dhe qeveria ka vendosur masa të reja për të frenuar infeksionin. India nisi fushatën kombëtare të vaksinimit në Janar dhe deri më tani, ka administruar mbi 157 milionë doza të vaksinës. Faza e tretë e vaksinimit për njerëzit sipër 18-vjeç, nisi të Shtunën e kaluar.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.