Inflacioni britanik rritet në nivel rekord – Treguesi më i lartë në 30 vite. Nxit bankën e Anglisë të rrisë interesat
Inflacioni në Britani është rritur me 5.4% në Dhjetor, që është niveli më i lartë në 30 vite, duke ushtruar presion tek Banka e Anglisë për të rritur normën bazë të interesit përsëri në muajin e ardhshëm. Ekonomistët prisnin një rritje me 5.2% në Dhjetor, nga norma prej 5.1% një muaj më parë. Rritje e indeksit të çmimeve të konsumit në nivelin më të lartë që prej Marsit 1992, reflektoi një varg të gjerë të produkteve dhe shërbimeve, sipas zyrës Kombëtare të Statistikave, me ndikimin më të madh që erdhi nga nëngrupi i pijeve dhe ushqimeve, ndjekur nga restorantet dhe hotelet. Banka e Anglisë u bë e para bankë e madhe qendrore në botë muajin e kaluar që rrit normën bazë të interesit që prej nisjes së pandemisë, një ditë pasi inflacioni për Nëntorin shënoi nivelin më të lartë në 10 vite.
Rritja e inflacionit po kthehet gjithashtu në një problem ekonomik për qeverinë e kryeministrit Boris Johnson, që përballe me thirrje nga opozita që të kompensojë rritjen e pritur të çmimeve të energjisë për familjet me 50% në Prill. “I kuptojë presionet me të cilat përballen njerëzit në lidhje me koston e jetesës dhe do vazhdoj të dëgjoj shqetësimet e njerëzve”- tha ministri i Financave, Rishi Sunak. Banka e Anglisë projektoi se inflacioni do të arrijë majën në nivelin më të lartë në mbi 30 vite prej 6% në Prill, për shkak të faturave më të mëdha të energjisë, dhe do të duhet më shumë se 2 vite që inflacioni të bjerë në objektivin prej 2%. Tregjet financiare presin që banka e Anglisë të rrisë përsëri normën bazë të interesit në takimin e 3 Shkurtit.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.