Investitorët në Eurozonë – Humori përkeqësohet në Shkurt prej negociatave në Gjermani
Humori i investitorëve në Eurozonë është përkeqësuar në muajin Shkurt, sipas një sondazhi, që e lidh këtë me shqetësimet mbi negociatat për koalicion mes konservatorëve të Angela Merkel dhe social demokratët e qendrës së majtë.
Konservatorët dhe social demokratët pritet të bien dakord për një program 4-vjeçar të qeverisë këtë javë.
Indeksi Sentix për Eurozonën, që formulohet nëpërmjet sondazheve drejt tregjeve të kapitalit, ra në 31.9 pikë gjatë muajit Shkurt, poshtë projeksioneve të analistëve. Indeksi për Gjermaninë ka patur rënien më të madhe.
Kompromiset që duhet për ta bërë programin e qeverisë të pranueshëm nga të dyja palët, mund të sjellin politika që privojnë Gjermaninë nga reformat, që investitorët i shohin si të nevojshme.
Liderët e biznesit në gjermani, kanë kërkuar një reformë në sistemin tatimor, për ti bërë kompanitë më konkurruese, duke ndjekur ndryshimet tatimore në SHBA që kanë ulur ndjeshëm taksën e korporatave.
Sipas sondazheve, thuajse 1,000 investitorë vazhdojnë ta shohin të fortë gjendjen ekonomike në pjesën tjetër të botës.
Pritshmëritë për Eurozonën ranë në nivelin më të ulët në 1 vit, ndërsa perceptimi për gjendjen aktuale nga investitorët, është rritur në nivelin më të lartë që prej Gushtit 2007.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.