Ishulli i humbur i Paqësorit, trashëgimi UNESCO, i cili është i mbuluar nga plehrat
Kur një ekip kërkuesish mbërriti në një ishull të pabanuar në mes të Oqeanit Paqësor, ata u habitën duke gjetur 38 milionë plehra në breg.
Pothuajse të gjitha këto plehra ishin prej plastike: lodra, furça dhëmbësh, çakmakë, shishe, domino dhe qindra kaska me ngjyra dhe madhësi të ndryshme. Sipas kërkuesve, dendësia e plehrave ishte më e larta e regjistruar në ndonjë vend tjetër të botës, pavarësisht se ishulli Henderson ndodhet shumë larg.
Ishulli gjendet midis Zelandës së Re dhe Kilit e është i njohur nga UNESCO si një pikë trashëgimie botërore. Henderson duket se është në cepin e një vorbulle gjigande rrymash oqeanike, të njohur si Vorbulla Jug Paqësore, e cila ka tendencën të kap dhe të mbajë në të plehra që lundrojnë.
“Sasia e plastikës atje është vërtet alarmuese. Është njëkohësisht gjë e bukur dhe tmerruese”, thotë Jennifer Lavers, një studiuese nga Universiteti i Tasmanisë në Australi, e cila publikoi një raport të martën mbi gjendjen e ishullit.
Lavers dhe gjashtë të tjerë qëndruan në ishull për 3 muaj e gjysmë në vitin 2015 dhe vlerësuan se plehrat peshonin 17,6 ton dhe se dy të tretat ishin mbuluar tashmë nga sedimentet e plazhrave.
Studiuesit gjetën një breshkë deti e cila kishte ngordhur pasi kishte ngecur në një rrjetë peshkimi, si edhe një gaforre që jetonte në një kapak kozmetike.
Duke pastruar një pjesë të plehrave në një nga plazhet, ata përllogaritën se janë afërsisht 13 mijë copa të reja mbeturinash që dalin në breg çdo ditë.
“Gjithmonë e më shumë lloje të tilla studimesh na tregojnë realitetin e plastikës në oqeane”, thotë Melissa Bowern, një oqeanografe nga Universiteti i Auckland në Zelandën e Re.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.