Itali, fillojnë zbritjet – Do shpenzohen 3.5 mld euro për produktet në ofertë
Që prej datës 1 Korrik, në Itali fillojnë zbritjet e çmimeve nëpër dyqane, që tashmë janë kthyer në një traditë për stinën e nxehtë.
Këto janë zbritjet më të mëdha vjetore, dhe shpenzimet gjatë kësaj periudhe kohore janë të mëdha.
Vlerësimet paraprake flasin për 230 euro të shpenzuara mesatarisht nga një familje italiane gjatë kësaj periudhe kohore, për veshje dhe këpucë.
Në total bëhet fjalë për 3.5 miliardë euro produkte me çmim të zbritur që do të shiten në Itali gjatë periudhe të zbritjeve.
Pavarësisht motit tepër të nxehtë të Qershorit, konsumi në vend nuk vlerësohet në rënie, thonë ekspertët.
Periudha e zbritjeve në Itali është një detyrim ligjor për të gjitha kompanitë që operojnë në sektor.
Edhe këtë vit, ashtu siç ka ndodhur më parë, disa linja vendosin që të fillojnë periudhën e zbritjeve disa ditë më parë se data zyrtare, duke prodhuar një konkurrencë të pandershme.
Për këtë, shumë sipërmarrje kërkojnë më shumë mbështetje dhe kontroll nga autoritetet.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.