Katari në panik – Qytetarët boshatisin dyqanet, mbarojnë edhe paratë
Vendet e gjirit janë përfshirë nga kriza më e rëndë diplomatike ndër vite. Disa shtete arabe vendosën të ndërpresin çdo lloj marrëdhënie me Katarin, duke e akuzuar për mbështetje dhe financim të terrorizmit.
Kjo përkthehet në pezullim të transportit ajror, detar dhe tokësor me vendin e vogël, duke e izoluar tërësisht.
Katari ndër të tjera varet tërësisht nga importet, dhe kjo bllokadë mund t’i shkaktojë probleme serioze.
Paniku ka prekur tashmë qytetarët të cilët janë dyndur nëpër dyqane duke blerë çfarë të kenë mundësi, për të shmangur sadopak mungesat në rast se kriza do të përshkallëzohet.
Pjesa dërrmuese e importeve drejt Katarit vijnë nga Arabia Saudite, dhe kërcënimi i kësaj të fundit për mbylljen e të gjithë kufijve mund të sjellë mungesë të theksuar ushqimesh dhe uji në vend.
Paniku ka shkaktuar mungesë të theksuar produktesh bazë, si mishi nëpër supermarkete, ndërkohë që raftet janë boshatisur.
Ndërkohë, Katari ka pezulluar pranimin e valutave të huaja, si Ryiali saudit. Kjo ka shkaktuar edhe mungesë të theksuar likuiditeti në pikat e këmbimit valutor. Në një të tillë, aty ku kanë ngelur ende para, nuk mund të blesh dot më shumë se 3000 dollarë amerikanë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.