Konflikti tregtar Kinë-SHBA – Kina mohon se ka ofruar reduktimin e deficitit tregtar me $200 mld
Kina mohoi se i ka premtuar Shteteve të Bashkuara për të ulur deficitin tregtar me 200 miliardë dollarë.
Zyrtarët në SHBA kishin thënë se Kina propozoi të rrisë blerjen e mallrave amerikanë me qëllim që të ulë deficitin tregtar deri në 200 miliardë dollarë në vit.
Zv/Kryeministri kinez, Liu He, po zhvillon një takim me Sekretarin e Thesarit në Washington, Steven Mnuchin, me qëllim që të zgjidhin konfliktin tregtar mes 2 ekonomive më të mëdha të botës.
Më herët gjatë ditës, Kina lajmëroi se ka përfunduar hetimin anti-dumping për importet e drithërave nga Shtetet e Bashkuara, gjë që kishte ndaluar një tregti që arriti vlertën e 1.1 miliardë dollarë në vitin e kaluar.
Megjithatë, reduktimi i deficitit tregtar mes vendeve me 200 miliardë dollarë në mënyrë të qëndrueshme, do të kërkonte një ndryshim rrënjësor të përbërjes së tregtisë mes vendeve.
Deficiti në mallra i Shteteve të Bashkuara vitin e kaluar rezultoi në 375 miliardë dollarë.
Disa burime bënë të ditur se prodhuesi i avionëve në SHBA, Boeing, do të ishte përfitues nga oferta e Kinës për të ulur hendekun tregtar.
Boeing është eksportuesi më i madh amerikan dhe shet aktualisht 25% të avionëve tregtarë drejt klientëve kinezë.
Eksportet më të mëdha amerikane në Kinë gjatë vitit të kaluar, ishin avionët në 16 mld dollarë dhe soja, në 12 miliardë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.