Maqedoni, sot 16 vjet nga Marrëveshja e Ohrit – Çfarë përmbante dokumenti dhe çfarë është arritur?!
16 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ende mbetet e pa realizuar në tërësi. Njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se ky dokument nuk arriti të japë përgjigjet e duhura në rrafshit etnik, juridik, politik, ekonomik, financiar, kulturor dhe social të shqiptarëve, ku mbi të gjitha, nuk arriti të ndryshojë konceptin kushtetues etnocentrik të imponuar që me pavarësimin e RM-së në vitin 1991, pra nuk arriti të ndryshojë statusin kushtetues të shqiptarëve në këtë shtet.
Juristi Jeton Shasivari sqaron për Portalb.mk se kur flitet për realizimin e tij, duhet nënvizuar faktin se Dokumenti i Ohrit në tre çështje kyçe të tij që ndërlidhen me përdorimin e gjuhëve, përfaqësimin proporcional dhe demokracinë lokale, nuk arriti të realizojë barazinë e plotë etnike gjatë gjithë periudhës 16-të vjeçare.
“Qëllimi kryesor i këtij dokumenti ishte ndërprerja e konfliktit të armatosur disa mujor të vitit 2001, pra sigurimi i paqes, e jo krijimi i ndonjë modeli efikas me perspektivë juridike, politike, kulturore, sociale dhe ekonomike për zgjidhjen e antagonizmit etnik në Maqedoni, midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Kur flitet për realizimin e tij, duhet nënvizuar faktin se Dokumenti i Ohrit në tre çështje kyçe të tij që ndërlidhen me përdorimin e gjuhëve, përfaqësimin proporcional dhe demokracinë lokale, nuk arriti të realizojë barazinë e plotë etnike gjatë gjithë kësaj periudhe kohore 16-të vjeçare. Kjo për arsye se, gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, të drejtat kombëtare të shqiptarëve vazhdimisht kontrollohen dhe distribuohen nga subjektet politike maqedonase. Ky dokument nuk arriti të japë përgjigjet e duhura të rrafshit etnik, juridik, politik, ekonomik, financiar, kulturor dhe social të shqiptarëve, ku mbi të gjitha, nuk arriti të ndryshojë konceptin kushtetues etnocentrik të imponuar me majorizim që me pavarësimin e RM-së në vitin 1991, pra nuk arriti të ndryshojë statusin kushtetues të shqiptarëve në këtë shtet”, tha Shasivari.
Sipas tij, shqiptarët në Maqedoni nuk janë fenomen matematikor i përqindjes, por janë popull autokton që jeton në një hapësirë gjeografike që posedon të drejtën e pashteruar të vetëvendosjes, shprehet Shazivari.
Nga ana tjetër juristi Osman Kadriu vlerëson për Portalb.mk se në bazë të MO-së kemi një avancim të statusit të shqiptarëve në Maqedoni, por akoma nuk janë të arritura ato të drejta që në një mënyrë i garanton marrëveshja.
“Është evidente se në bazë të MO-së kemi një avancim të statusit të shqiptarëve në Maqedoni, por në tre nivele mund të flasim se akoma nuk janë arritur ato të drejta që në një mënyrë i garanton marrëveshja. Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe ende mbetet si problem, si çështje e pa rregulluar në aspektin e saj se çfarë premtonte dhe rregullonte MO, se gjuha shqipe do të jetë gjuhë e dytë zyrtare. Ka shumë paqartësi në këtë drejtim, dhe ato na shfaqen edhe në miratimin e ligjit aktual për këtë çështje. Niveli i dytë flet se dispozitat ligjore nuk janë në frymën e marrëveshjes dhe nuk e garantojnë statusin e shqiptarëve në nivelin që e parashikonte MO. Problemi i theksuar erdhi edhe te preambula e kushtetutës meqenëse MO kishte një preambulë kushtetuese ku parashikonte që Maqedonia të definohej si shtet qytetarë, dhe kur u miratua marrëveshja, u bë ndryshim dhe në Parlament ajo ngeli që Maqedonia definohet si shtet nacional, por jo që shqiptarët të ishin të barabartë me kombin maqedonas. Gjithashtu përfaqësimi nuk është arritur, punësimi dhe ushtrimi i çdo pozite që është parashikuar nuk realizohet në praktikë. E drejta e shqiptarit që mund të drejtojë çdo post në shtet, normal duke plotësuar kushtet që parashikon kushtetuta edhe ligji”, tha Kadriu.
Sipas tij, është për ta respektuar Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, por ajo ka zbrazëtira politike që na paraqiten edhe në kushtetutën aktuale, kështu që të njëjtat kundërthënie dhe paqartësi i hasim edhe në ligje konkrete.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni dhe vendosi kornizë për bashkëjetesë ndëretnike.
Negociatat, filluan në Shkup, ndërsa më pas vazhduan në Ohër, ku përfunduan me përafrimin e dokumentit më 10 gusht. Tre ditë më vonë më 13 gusht të vitit 2011 në rezidencën presidenciale në Vodno në Shkup, marrëveshjen Kornizë e nënshkruan presidenti i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministri Lubço Georgievski, lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski, ai i PPD-së Imer Imeri dhe ai i PDSH-së, Arbën Xhaferi.
Nënshkrues të marrëveshjes në rolin e garantuesve ishin edhe përfaqësuesit specialë të BE-së dhe SHBA-ve, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju, të cilët morën pjesë në bisedime. Përveç nënshkruesve në bisedime mori pjesë edhe Havier Solana, përfaqësues i lartë i BE-së për siguri dhe politika të jashtme, dhe Piter Fejt, përfaqësues i SHBA-ve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.