May i shpëton “rebelëve” – Shkon në Bruksel për ndihmë. Kërkon garanci për çështjen e Irlandës
Theresa May është nisur në Bruksel për ti kërkuar ndihmë liderëve europian për Brexit, ndërkohë që rebelimi i deputetëve të saj dështoi që ta heqë atë nga detyra. May fitoi mbështetjen e 200 anëtarëve konservatorë të parlamentit gjatë votimit, kundrejt 117 votave kundër saj.
Në një fjalim në Doëning Street pas votimit, May tha se ajo është e gatshme të dëgjojë ata që kanë votuar kundra saj dhe shtoi se kërkon siguri ligjore për pjesën më problematike të paketës së Brexit, që është parandalimi i ashpërsimit të kufijve mes Irlandës së Bashkimit Europian dhe provincës britanike në veri.
“Pas një dite të gjatë u shpërbleva me mbështetjen e kolegëve të mi. Por në të njëjtën kohë, një numër i madh i kolegëve votuan kundër meje dhe unë i dëgjova se çfarë kishin për të thënë. Pas votimit, duhet të vazhdojmë punën me Brexit. Do përpiqem të marr garanci ligjore dhe politike për çështjen e kufirit me Irlandën, për të zbutur shqetësimet e parlamentit.”
Në nisje të javës, Theresa May anuloi votimin në parlament për marrëveshjen e Brexit, të arritur pas 2 vitesh negociata, pasi pranoi se do të mposhtej në mënyrë turpëruese.
Ndërkohë që Britania pritet të dalë nga Bashkimi Europian, kundërshtimi i parlamentit britanik ka shtuar së fundmi mundësitë e daljes pa marrëveshje apo zhvillimin e një referendumi të dytë mbi anëtarësinë.
Sipas zëdhënësit të May, kryeministrja do të përdorë samitin e BE për të shpjeguar situatën në parlamentin britanik. Megjithatë, liderët e BE kanë thënë në mënyrë unanime se nuk do të ndryshojnë marrëveshjen, veçanërisht çështjen e Irlandës së Veriut.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.