Moody’s optimist për Rusinë – Ekonomia mund të mbrohet nga sanksionet e fundit të SHBA
Agjencia e vlerësimit të kreditit, Moody’s, bëri të ditur se ekonomia ruse mund të mbrohet nga sanksionet amerikane, prej financave të forta publike dhe të jashtme. Megjithatë, sanksionet do të kenë ndikim negativ për kreditin e disa prej emetuesve rus, përfshirë gjigantin e aluminit, Rusal.
Agjencia deklaroi se sistemi bankar i Rusisë ka kapacitet për të absorbuar humbjet e kreditit që do të vijnë prej ekspozimeve ndaj kompanive të sanksionuara.
Vlerësimi i Moody’s bën kontrast me atë të Fitch Ratings, që deklaroi javën e kaluar se sanksionet amerikane do të limitojnë potencialin e rritjes ekonomike të Rusisë dhe godasë rëndë kompanitë e shënjestruara.
Departamenti i Thesarit në SHBA, vendosi sanksione më herët gjatë muajit ndaj 7 oligarkëve rusë, 12 kompanive që ata kontrollojnë si dhe 17 zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Moska i ka quajtur këto sanksione si të jashtëligjshme dhe ka paralajmëruar për kundërpërgjigje.
“Profili i kreditit të Rusisë është i pozicionuar mirë për të përballuar ndikimin e sanksioneve të reja. Çmimet më të larta të naftës do të ndihmojnë qeverinë që të bëjë progres në rritjen e kursimeve fiskale”, deklaroi Moody’s.
Vlerësimi sovran për Rusinë qëndron në Ba1 me perspektivë pozitive. Megjithatë, agjencia bëri të ditur se mundësia e shkëputjes së enteve ruse nga tregjet ndërkombëtar të kapitalit, përbën një rrezik ndaj profilit të kreditit të vendit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.