Nafta e nis javën në rënie – Rusia sinjalizon rritjen e prodhimit pas qershorit
Çmimet e naftës e kanë filluar në rënie këtë javë, duke u tërhequr lehtë nga niveli më i lartë në 5 muaj të regjistruar të premten.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 70.9 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 63.3 dollarë për fuçi. Të premten, ndërkohë, kreu i kompanisë shtetërore të naftës në Libi paralajmëroi se luftimet do të dëmtojnë prodhimin në vend.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, dhe aleatët e tjerë do të takohen në qershor, për të vendosur mbi politikat e naftës për gjysmën e dytë të vitit. Aktualisht, OPEC dhe Rusia kanë rënë dakord të ulin prodhimin me 1.2 milionë fuçi naftë në ditë, marrëveshje që ka hyrë në zbatim në 1 janar dhe do të zgjasë 6 muaj, deri në qershor. Arabia Saudite, që është de facton lider i OPEC, kërkon shtyrjen e kësaj marrëveshjeje, por për shkak të rënies së pavullnetshme të prodhimit në Venezuelë, Iran dhe së fundmi në Libi, Moska është shprehur kundër shtyrjes.
Ministri rus i Financave, Anton Siluanov, deklaroi se, Rusia dhe OPEC mund të vendosin një rritje të prodhimit, pasi Shtetet e Bashkuara kanë marrë një pjesë të madhe të tregut. Por, kjo do ti rrëzonte çmimet drejt nivelit të 40 dollarëve për fuçi. Javën e kaluar, edhe presidenti rus, Vladimir Putin, u shpreh se Rusia është e kënaqur me çmimet pranë 70 dollarëve për fuçi. Kjo bëri që investitorët të mendojnë se, Rusia do të kundërshtojë shtyrjen e marrëveshjes për uljen e prodhimit, përtej qershorit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.