Nafta i rikthehet humbjeve – Çmimet, nën presion për shkak të luftës tregtare
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie gjatë sesionit të sotëm, për shkak të përshkallëzimit të mëtejshëm të luftës tregtare mes SHBA dhe Kinës, që gjithashtu ka shkaktuar një shitje masive të aksioneve. Gjithashtu, çmimet e naftës po gjenden nën presion për shkak të pritshmërive se OPEC dhe Rusia do të fillojnë të rrisin gradualisht prodhimin, në mënyrë që ti përgjigjen rënies së prodhimit në Venezuela dhe pritshmërive për rënien e eksporteve nga Irani.
Të dyja këto vende përballen me sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina kërcënuan sërish me tarifa shtesë ndaj importeve respektive. Këto kërcënime kanë rrëzuar ndjeshëm tregjet e aksioneve në të gjithë botën. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 75.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane po tregtohet në rreth 65.1 dollarë për fuçi. Investitorët po ndjekin nga afër kërcënimin e Kinës, që tha se do të vendosë tarifa prej 25% për importin e naftës nga Shtetet e Bashkuara.
Analistët mendojnë se, Amerika do të ketë shumë të vështirë për të gjetur një alternativë më të mirë se Kina, për të shitur naftën e saj, pasi ky vend importon rreth 20% të naftës amerikane. Në anën tjetër, kërkesa globale për naftë pritet të jetë e fortë edhe gjatë gjysmës së dytë të këtij viti, që nënkupton se tregu mund të ketë nevojë për prodhim shtesë nga OPEC.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.