Nafta, në rritje të konsiderueshme – Mbështetet nga “armëpushimi” 90-ditor SHBA-Kinë
Çmimet e naftës e kanë filluar javën në rritje të konsiderueshme, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina ranë dakord për një armëpushim 90-ditor mbi luftën tregtare. Gjithashtu, investitorët janë në pritje të takimit të OPEC dhe Rusisë, në vonë gjatë javës, ku parashikohet të arrihet një marrëveshje për uljen e prodhimit.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 53 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 61.6 dollarë për fuçi. Lufta tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë, ka dëmtuar tregtinë globale, dhe për rrjedhojë edhe kërkesën për naftë.
Gjithashtu, çmimet gjetën një mbështetje edhe nga vendimi i provincës kanadeze të Albertas, që tha se do të detyrojnë kompanitë të ulin prodhimin me 8.7%, apo me 325 mijë fuçi në ditë. Ndërkohë, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës do të takohet më 6 dhjetor, për të vendosur politikat e prodhimit.
Por, në vigjilje të këtij takimi, Katari deklaroi se do të largohet nga karteli i naftës, duke filluar nga muaji janar. Ky vend prodhon rreth 600,000 fuçi naftë në ditë, por është eksportuesi më i madh në botë i gazit të lëngshëm natyror. Çmimet gjetën një mbështetje të lehtë nga rënia modeste e prodhimit në Rusi dhe SHBA, gjatë nëntorit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.