Nafta sërish në rënie – Stuhia “Nate” dëmton prodhimin në Gjirin e Meksikës
Çmimet e naftës i janë rikthyer humbjeve në sesionin e fundit të kësaj jave, pasi fitimeve prej rreth 1.6% një ditë më parë. Në treg është rikthyer sërish shqetësimi për mbifurnizmin e tregut.
Investitorët janë të shqetësuar edhe për stuhinë tropikale, “Nate”, që mund të dëmtojë prodhimin e naftës në Gjirin e Meksikës. Gjithsesi, kjo stuhi pritet të godasë këtë zonë në ditën e hënë.
Nafta Brent e Londrës ka rënë sërish poshtë 57 dollarëve për fuçi, në sesionin e sotëm, ndërsa për të gjithë javën ka humbur rreth 1% të vlerës. Nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 50.3 dollarëve për fuçi, ndërsa gjatë kësaj jave ka rënë me rreth 2%.
Në Gjirin e Meksikës, BP dhe Chevron kanë ndaluar prodhimin në të gjitha platformat, ndërsa Royal Dutch Shell dhe Anadarko Petroleum kanë pezulluar një pjesë të aktivitetit. Exxon Mobil, Statoil dhe prodhuesit e tjerë kanë tërhequr personelin nga kjo zonë.
Mundësitë që OPEC dhe vendet e tjera, me në krye Rusinë, të shtynin marrëveshjen e uljes së prodhimit përtej marsit të vitit të ardhshëm, mbështetën çmimet në sesionin e fundit.
Por, ministri i energjisë i Arabisë Saudite tha se, ishte fleksibël mbi sugjerimin e Rusisë për të shtyrë marrëveshjen për uljen e prodhimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.