Nafta zgjeron fitimet – Çmimet mbështeten nga tensioni SHBA-Iran
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, për shkak të përshkallëzimit të tensionit SHBA-Iran dhe pritshmërive se OPEC do të shtyjë marrëveshjen për uljen e prodhimit, mbase deri në fund të këtij viti.
Por, në anën tjetër fitimet po kufizohen nga përshkallëzimi i tensionit tregtar mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, që mund të ngadalësojnë ekonominë globale dhe kërkesën për naftë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 72.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 63.4 dollarë për fuçi.
Presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi Iranin se do të përballet me një “forcë të madhe” nëse sulmon interesat e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme. Deklarata erdhi pasi një raketë goditi kryeqytetin e Irakut, Bagdadin, dhe Uashingtoni dyshon se sulmi është organizuar nga milicia që ka lidhje me Iranin.
Por, Teherani zyrtar tha se do ti rezistojë presionit amerikan, duke refuzuar bisedime të mëtejshme në këto rrethana. Tensioni vjen në një kohë, që tregu është i tkurrur për shkak të marrëveshjes së OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë. Takimi i radhës pritet të mbahet më 25 dhe 26 qershor, ku do të diskutohen politikat e ardhshme të prodhimit të naftës.
Megjithatë, tregu vijon të jetë në presion të vazhdueshëm për shkak të shqetësimeve se SHBA dhe Kina nuk do të shmangin në afatin e shkurtër luftën tregtare, që deri më tani ka rezultuar shumë e kushtueshme dhe pritet të ngadalësojë ekonominë globale.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.