Ngadalësohet rimëkëmbja në Britani / PBB, poshtë pritshmërive pavarësisht heqjes së rregullave të Covid
Rimëkëmbja ekonomike në Britani është ngadalësuar ndjeshëm në muajin Maj, pavarësisht zbutjes së mëtejshme të masave të distancimit social. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me një normë mujore prej 0.8%, sipër nivelit tipi para pandemisë, por në rënie nga 2%-shi i Prillit dhe poshtë vlerësimeve të analistëve për 1.5%. Britania ka pësuar një nga goditjet më të mëdha nga pandemia ndër ekonomitë e zhvilluara në vitin e kaluar dhe PBB në Maj ishte 3.1% poshtë nivelit të Shkurtit 2020. Banka e Anglisë pret që ekonomia të rritet me 7.25% këtë vit, që është norma më e shpejtë vjetore që prej vitit 1941. Vitin e kaluar, prodhimi ra me rreth 10%, që është rënia më e madhe në 300 vite. Në muajin Prill, u zbutën masat e kufizimeve për shitësit me pakicë jo thelbësorë, parukeritë, dhe pabet e restorantet mund t’i shërbenin klientëve në ambiente të jashtme. Sektori gjigant i shërbimeve në Britani u rrit me një normë më të dobët se sa pritej me 0.9% në Maj, ndërkohë që rritja gjigante me 37.1% në akomodim dhe shërbime ushqimore, dështoi të kompensoi pjesë të tjera të sektorit. Shitjet në supermarkete ranë, pasi më shumë njerëz kanë ngrënë vaktet e tyre jashtë. Prodhimi industrial u rrit me 0.8%, por manifaktura u tkurr lehtë. Mungesa e mikroçipeve po godet sektorin e prodhimit të makinave, çka ka sjellë rënien më të madhe atje që prej Prillit 2020.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.