Padoan për problemet bankare: “Eurozona përballet ende me sfida, përfshirë Gjermaninë”
Ministri italian i Financave, Pier Carlo Padoan, dha një mesazh optimist mbi sektorin bankar të vendit, por theksoi se sfida të mëdha qëndrojnë në Eurozonë, përfshirë Gjermaninë.
“Gjermania mund të jetë motori i ekonomisë së Eurozonës, por duhet të trajtojë problemet e veta në lidhje me bankingun”, tha Pier Carlo Padoan në forumin Ambrosetti që mbahet çdo vit në Itali.
Ai shtoi se Gjermania është vendi që ka injektuar sasinë më të madhe të parasë publike në sektorin bankar në të shkuarën, kur rregullat ishin ndryshe.
Edhe pse Italia ka patur trazira në sektorin financiar, analistët kanë paralajmëruar gjithashtu mbi problemet në lidhje me bankat në Gjermani.
Këtu përfshihet numri i madh i bankave me konsolidim të dobët. Sipas Commercial Banks Guide, ekzistojnë 2.400 banka me më shumë se 45 mijë degë, që punësojnë mbi 700.000 persona.
Për rrjedhojë, Padoan tha se është e rëndësishme që të përfundojë unioni bankar, një projekt i krijuar në vitin 2012 në përgjigje të krizës së borxhit, që synon të caktojë një set të vetëm rregullash në të gjithë Bashkimin Europian.
Padoan tha se unioni bankar nuk është përfunduar prej perspektivave të ndryshme nacionale.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.