“Perspektiva Ekonomike Botërore”/ FMN ul projeksionet për ekonominë botërore në 2020 dhe 2021
Fondi Monetar Ndërkombëtar uli projeksionet për ekonominë botërore për këtë vit edhe tjetrin, në raportin “Perspektiva Ekonomike Botërore”. Ekonomia do të rritet me 3.3% në vitin 2020 dhe me 3.4% në 2021 sipas Fondit, që uli parashikimet nga ato të muajit Tetor me 0.1% këtë vit dhe 0.2% në tjetrin. Norma do të stabilizohet në 1.6% për ekonomitë e zhvilluara këtë vit edhe tjetrin, dhe do të rritet në 4.4 dhe 4.6% për ekonomitë në zhvillim. Fondi Monetar Ndërkombëtar rriti projeksionet për ekonominë kineze me 0.2% në 6% për vitin 2020. Raporti theksoi gjithashtu se manifaktura dhe tregtia botërore kanë prekur fundin dhe do nisin rimëkëmbjen, ekonomitë e zhvilluara po lehtësojnë politikat monetare, Kina dhe SHBA kanë arritur një marrëveshje tregtare dhe shqetësimet mbi Brexit pa marrëveshje po largohen. Shefja e Fondit, Kristalina Georgieva, tha se këto shenja pozitive kanë rritur optimizmin në tregje.
Presim një përshpejtim mesatar të rritjes ekonomike këtë vit edhe tjetrin. Kemi vëzhguar disa shenja të stabilizimit, pasi të dhënat e fundit tregojnë se tregtia dhe prodhimi industrial kanë prekur fundin dhe do të nisin rimëkëmbjen. Megjithatë, nuk kemi arritur ende në një pikë të kthesës.
Pavarësisht sinjaleve pozitive, ekzistojnë ende rreziqe ndaj aktivitetit ekonomik botëror si tensionet gjeopolitike dhe sociale si dhe barrierat tregtare. Fondi Monetar Ndërkombëtarë theksoi se duhet bashkëpunim shumëpalësh dhe një miks i ekuilibruar i politikave për të mbështetur ekonominë dhe parandaluar rreziqet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.