Pfizer, takim me zyrtarët e shëndetësisë / Do të diskutohen dozat nxitëse të vaksinës anti-Covid
Prodhuesi i vaksinës, Pfizer, do të takohet me zyrtarë federalë të shëndetësisë sa më shpejtë të jetë e mundur, për të biseduar nevojën e një doze nxitëse të vaksinës, ndërkohë që përgatitet të kërkojë autorizim, sipas kompanisë. Takimi vjen pak ditë pasi Pfzier dhe BionTech lajmëruan planet për të kërkuar miratim rregullator në Europë dhe SHBA për dozën e tretë të vaksinës, përballë përhapjes së shpejtë të varianteve dhe të dhënave që mbrojtja nga infeksioni zbehet pas 6 muajve. Kjo solli një reagim të shpejtë nga Administrata e Barnave në SHBA, që theksoi se amerikanëve nuk i duhet një dozë nxitëse për momentin. Në nisje të Javës, përfaqësues të Pfizer pritet të takojnë zyrtarë të Administratës së Barnave.
Anthony Fauci, këshilluesi mjekësor i Joe Biden, që drejton Institutin Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve infektive, si dhe krerët e Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë, është ndër personat e ftuar në takim. Fauci, tha së fundmi se pavarësisht komenteve nga autoritetet, nuk mund të përjashtohet mundësia për doza nxitëse, veçanërisht përballë infeksioneve tek personat e vaksinuar. Zyrtarët e shëndetësisë në SHBA po hasin vështirësi për të vaksinuar me dozën e parë njerëz në zona të largëta. Zyrtarët europianë kanë thënë gjithashtu se vaksinat e disponueshme momentalisht duken mbrojtëse kundër virusit.
Ndërkohë që disa shkencëtarë kanë vënë në pikëpyetje nevojën e dozave nxitëse, të tjerë kanë thënë se mund të jenë përfituese për të moshuarit.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.