Premtimet e klimës tek COP26 – Kerry: Bota ka 60% mundësi të frenojë temperaturat në 1.5 gradë Celsius
I dërguari amerikan për klimën, John Kerry, tha se premtimet aktuale në shkurtimin e emetimeve të karbonit, nënkuptojnë se bota ka një shans prej 60% të frenimit të rritjes së temperaturave mesatare në 1.5 gradë Celsius. Duke folur në një event me përfaqësues botëror në samitin e klimës në Glasgow, ai tha se me angazhimet e bëra së fundmi tek konferenca COP26, rreth 65% e PBB global mbulohet tashmë nga plane të zbatueshme të ndryshimit klimatik. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë që bota të shënojë objektivin e përgjysmimit të emetimeve botërore deri në vitin 2030, nëse kërkon të arrijë emetime zero deri në mes të shekullit.
“65% e Produktit të Brendshëm Bruto botëror, Kanadaja, Korea e Jugut, Japonia, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Europian dhe vende të tjera që duan të bashkohen, si Afrika e Jugut, janë të gjithë duke zbatuar planet, që mbajnë të gjallë objektivin prej 1.5 gradë celsius. Por prap kjo nënkuton se 35% nuk është ende pjesë, dhe nuk mund ta bëjmë pa ato. Nëse nuk reduktojmë emetimet deri në vitin 2030, tavani i 1.5 gradë celsius nuk ekziston më.”
John Kerry tha se negociatat për të rikthyer Kinën në tryezë po vazhdojnë dhe shtoi se objektivi i 1.5 gradë celsius do rrezikohet nëse Kina ndjek planet për të ndërtuar një stacion të energjisë me qymyr prej 260 gigawatt. Ai tha se është optimist se bisedimet në samitin e Kombeve të Bashkuara do të sjllein një ambicje më të madhe në lidhje me premtimet për të ulur ndotjen.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.