Projeksionet për euron – Fuqizimi ka gjasa të vazhdojë përgjatë vitit
Fuqizimi i euros kundër dollarit amerikan ka gjasa të vazhdojë përgjatë vitit, tregojnë parashikuesit më të saktë të valutës së përbashkët. Ndërkohë që rritja me rreth 8% për vitin 2017, që e çoi valutën në 1.14 dollarë, po tregon shenja të tërheqjes, huadhënësi i dytë më i madh në Gjermani DZ Bank, tregon se trendi ka gjasa të vazhdojë, duke arritur $1.15 deri në fund të këtij viti dhe $1.18 në 2018-ën.
Nga 80 banka që kanë ofruar projeksione për valutën, 23 prej tyre e shohin sipër 1.15 kundër dollarit amerikan deri në fund të 2017-ës. DZ Bank kishte projeksionin më optimist, bankë që parashikoi ndikimin te valuta pas zgjedhjeve në Francë.
Analistët thonë se me zbehjen e rreziqeve politike dhe rimëkëmbjen e fundit të ekonomisë së rajonit, shanset që Banka Qendrore Europiane të ndërpresë politikat monetare lehtësuese janë shtuar, gjë që do të rrisë valutën e përbashkët.
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, e nxiti valutën gjatë javës së kaluar, kur tha se politikat monetare do të përshtaten me fuqizimin e ekonomisë, gjë që u interpretua në tregjet financiarë si një nisje e normalizimit monetar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.