Rusia përballet me Apple për heqjen e “Telegram” nga App Store
Rregullatori rus i telekomunikacioneve Roskomnadzor ka kërkuar nga firma amerikane “Apple” të heqë aplikacionin “Telegram” nga version rus i app store.
Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve ruse për të bllokuar aplikacionin nga mesi i prillit, “Telegram vazhdon të ketë një përdorim të gjerë.
Roskomnadzor i ka dhënë Apple-it një muaj kohë për të kthyer përgjigje dhe është ende e paqartë se çdo të ndodhë nëse Apple e injoron kërkesën.
“Telegram” është një program i zhvilluar në Rusi dhe është një nga shërbimet më të njohura të mesazheve në botë.
Është i disponueshëm në tableta, celularë si dhe kompjutera dhe i jep përdoruesve sigurinë se të dhënat e bisedave të tyre mund t’i shohin vetëm dërguesit dhe marrësit e mesazheve, që do të thotë se mesazhet mbeten private nga palët e treta siç është Rusia.
Kompania u largua nga Rusia për shkak të rregulloreve të internetit në vend dhe tani është i bazuar në Dubai.
Mijëra njerëz u mblodhën në Moskë në prill për të protestuar kundër ndalimit të aplikacionit. Themeluesi i Telegramit, Pavel Durov, i cili ka lindur në Shën Petersburg, shkruajti në Twitter një falënderim për të gjithë ata që dolën.
V.H/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.